Bashkia Librazhd facebook: Qendrës Kulturore të Fëmijëve Librazhd i dhurohen 25 kostume popullore për vajza, me motive dardane. Kjo dhuratë e çmuar bëhet nga veprimtarja Emine Hoti, e cila prej vitesh ushtron aktivitetin e saj në Oslo (Norvegji), duke promovuar atje kulturën shqiptare, luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës, folklorin shqiptar, traditat zakonore shqiptare, duke luajtur kështu një rol të dorës së parë për bashkimin e diasporës shqiptare në vendet nordike e më gjerë, pikërisht nëpërmjet vetidentifikimit të tyre përkundrejt vlerave kulturore bashkuese: gjuhës shqipe, veshjeve të bukura popullore shqiptare, këngëve të bukura shqiptare, librave, historisë shqiptare të vjetër dhe të re, qenies kulturore shqiptare që frymon aq vitale, kudo ku ka shqiptarë. Kostumet dardane janë të mirëpritura në Qendrën Kulturore të Fëmijëve këtu, në Librazhd, buzë lumit Shkumbin, ku bashkohen dhe përzihen elemente gjuhësore dhe kulturore të traditës gege dhe toske, këtu pra ku Gegët dhe Toskët bashkohen dhe qenia shqiptare, si në asnjë trevë tjetët të Shqipërisë, del më e plotë.
Faleminderit Emine Hoti, duke ju shprehur konsideratat më të larta dhe mirënjohjen më të thellë për aktin tuaj bujar, me bindjen se lidhjet tona me ju do të forcohen gjithnjë e më shumë, me qëllim që vlerat e patjetërsueshme të identitetit kultutor shqiptar të transmetohen tek brezat e rinj të së ardhmes shqiptare, sidomos në këtë periudhe globalizmi dhe sfide për gjuhët dhe kulturat e popujve të ndryshëm.
Biografia juaj dëshmon se ju keni marrë përsipër një rol të rëndësishëm në këtë aksion të madh kombëtar. Ne ju përshëndesim me mirënjohje, ju falenderojmë dhe ju urojmë suksese, duke ju garantuar se jeni e mirëpritur në Bashkinë tonë, këtu, buzë Shkumbinit, ku Gegë e Toskë përzihen dhe bashkohen.
Me këtë rast falenderimi dhe mirënjohjeje të thellë ju përshëndesim me 5 valle nga trevat e Librazhdit e më gjerë, të interpretuara nga vajzat e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Librazhd, nën petkun e kostumeve dardane, që ju me aq bujari dhe dashuri na dhuruat.
*Material i përgatitur nga LIBRAZHDI INFO. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.