Një 27-vjeçar është arrestuar nga uniformat blu të Librazhdit, pasi akuzohet se ka tentuar të plagosë Përgjegjësin e Sektorit dhe Monitorimit në Agjensinë e Zonave të Mbrojtura Elbasan.
Gjithashtu blutë e Librazhdit kanë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë.
Bëhet fjalë për A.B., 43 vjeç, A.B., 22 vjeç, dhe L.B., 19 vjeç. Sipas njoftimit të Komisariatit Librazhd, mbrëmjen e së dielës, në vendin e quajtur “Qafa e Vaskut” Rrajcë, u konstatua një furgon, të cilin po e ngarkonin me dru zjarri.
Në momentin që punonjësit e pyjores u afruan mjetit, tre personat e shpallur në kërkim u larguan, ndërsa 27-vjeçari ka kërcënuar me kaçavidë si dhe ka tentuar ta plagosë në pjesën e barkut Përgjegjësin e Sektorit dhe Monitorimit në Agjensinë e Zonave të Mbrojtura Elbasan.
Ai menjëherë u largua me furgonin e tij, por më pas u identifikua dhe u kap nga blutë e Librazhdit.
*Material i përgatitur nga LIBRAZHDI INFO. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.