Ballina Reportazh REPORTAZH: Thesaret e Polisit, krahina që mban emrin e një qyteti Antik

REPORTAZH: Thesaret e Polisit, krahina që mban emrin e një qyteti Antik

1192
0
SHPËRNDAJE
  • Nga Agim Blloshmi  

Zona e Polisit shtrihet kryesisht në rrethin e Librazhdit, pasi disa prej pjesë të saj i përkasin edhe Elbasanit.

Fshatrat e kësaj zone janë ndarë në tri Bashki: në të Librazhdit, Përrenjasit dhe Elbasanit. Polisi ka një popullsi prej 5 mijë banorësh që kanë karakteristika të veçanta, fenë, atë myslimane.

Polisi është një nga krahinat më interesante dhe më të veçanta të Shqipërisë, djep i një qytetërimi të lashtë, me një të kaluar të lavdishme historike dhe kulturore me një bukuri natyrore të jashtëzakonshme.

Të veçantë ka edhe traditat, kulturën, këngët polifonike, mikpritjen, mënyrën e jetesës, gatimit etj.

Në shekullin e 15-të Polisi ishte një qytet i lulëzuar dhe kryeqendra e një prej principatave më të dëgjuara shqiptare, asaj të Aranitëve, kurse sot ai është një grumbull fshatrash të vegjël, që ka trashëguar nga e kaluara e tij qytetare vetëm emrin.

Në fillim të shekullit të 20-të Polisi ishte i ndarë në 7 fshatra: Vilan, Gushpatë, Polis-Qendër, Polis-Sheh, Gostimë, Polisi i Vogël dhe Fushë-Bualli. Fshatrat Polis i Vogël dhe Fushë-Buall shkojnë administrativisht me rrethin e Elbasanit.

Në zonën e Polisit gjenden shumë vepra historike e kulturore, si rruga Egnatia, e cila shfaqet tek ura e Haxhi Beqarit,Ura e Gurit mbi lumin e Gostimës në fshatin Polis Sheh, Ura e Kamares mbi Lumin Shkumbin e cila dikur lidhte rrugën Egnatia me krahinën e Dibrës.

Mali i Polisit shtrihet në lartësinë mbi 1500 metra mbi nivelin e detit, pika më e lartë është Faqja e Madhe me lartësi 1974 metra. Kundrejtimi i zonës është perëndimor. Në Malin e Polisit rriten një bimësi e dendur dhe e shumëllojshme. Njëri prej tyre, Ylli i Alpeve, një bimë endemike unikale në botë. Ylli i Alpeve është një bimë me bukuri të jashtëzakonshme. Jeton shumë lart, në majë të Malit të Polisit, mbi shkëmbinj, duke gjetur strehim për mbijetesë nga kafshët dhe njerëzit. Ylli i Alpeve është pasuri kombëtare shumë e rrallë që kërkon vëmendje dhe kujdes nga e gjithë shoqëria.

Sipas  Hajdar Cekani, inxhinier mjedisi, Zona e Polisit ka 2700 ha pyje të llojeve dushqe, shkozë, bush dhe 3726 hektarë kullota alpine komunale e shtetërore që mbajnë një kapacitet mbi 30 000 krerë bagëti të imta dhe 10 000 krerë gjedh.

Në këtë zonë rritet dhe mbarështohet delja e quajtur Lara e Polisit, që është dele autoktone e zonës dhe e përshtatur më së miri. Ë është një nga delet më të veçanta në Shqipëri.

Në rrethinat e Polisit gjenden 1867 lloje bimësh të ndryshme, të cilat përfaqësojnë 58 për qind të florës shqiptare dhe 16 për qind të asaj evropiane. Bimësia zë 72 për qind të të gjithë territorit, nga të cilat 12 për qind janë të rralla.
Kullotat dhe livadhet janë të pranishme në të gjithë malin duke krijuar vende piktoreske duke u kombinuar  me pyje dhe shkëmbinj.

Në Malin e Polisit përmenden livadhe të ndryshme si Vali i Pusit, ku gjendet një pus mbi 8 metra thellësi që është i mbushur me ujë të pijshëm, i ndërtuat shume kohë më parë nga barinjtë e zonës, Vali i Madh, Vali Thatë, Vali Thekrit, Vali Skrajt, Darkat e Lukës etj. Këta janë livadhe të rrethuar, shumë të bukur për t’u vizituar nga turistët e ndryshëm vendas dhe të huaj.

Në Malin  e Polisit ka disa burime te vogla ujore, por më i përmenduri është Kroi i Bardhë  që gjendet mes kullotave dhe fushave pa mbarim. Gjithashtu në Pyllin e Brushllit gjendet gropa e dëborës me një thellësi mbi 10 metra ku dëbora nuk shkrin asnjëherë, që ja vlen ta vizitosh.

Në zonën e Polisit janë dhe disa gurra  shumë të bukura dhe me ujë të bollshëm si Gurra e Ganjorit, Gurra e Kranshës dhe Gurra e Gurëshpatës. Një  gjë e veçantë është dhe Lumi i Gostimës që më pas bashkohet me lumin Shkumbin në Mirakë. Në këtë lumë rritet trofta e egër.

Bujar Zharri, administrator i njësisë administrative të Polisit tregon përparësitë turistike të zonës. “Polisi është një zonë turistike që ia vlen ta vizitosh, thotë ai. Sivjet po organizojmë për herë të parë një festë tradicionale në Malin e Polist, një festë e cila do të jetë shumë e veçantë e ndërthurur me turizmin, kulturën, gastronominë e polisarëve.

Gjithashtu do të ketë dhe aktivitete kulturore artistike ku për herë të parë turistët do të ndjekin nga afër dasmën  polisare. Turistët do të gjejnë gjithçka bio, djathin, kosin, qumështin e freskët, do të shuajnë etjen me ujin e ftohtë që del nga pusi qindravjeçar, nga burimet e freskëta  që zbresin nga  lartësitë e maleve”, mbyll bisedën Bujari, duke bërë edhe ftesë për këdo që ka dëshirë të vijë në Polis.

Për t’u ardhur në ndihmë  turistëve janë hapur dhe rrugë për ata që duan të udhëtojnë me makina, por edhe rrugë këmbësore për aventura turistike Për të shkuar në zonën e  Polisit dhe veçanërisht ne malin e Polisit shkohet në dy drejtime: Mirakë-Gurëshpatë (Qafë Dardhë) -Vali Pusit, 24 km distancë ose Mirakë -Vilan (Gurrë-Kranshë) – Brushkull me gjatësi 30  kilometra. Rruga është  kalueshme për furgona ose fuoristrada.

 

Polisi – Histori

Sipas historianit dhe Arkeologut Avni Alcan, Polisi ka qenë i banuar që në kohë të lashta prehistorike. Këtë e dëshmojnë disa gjurmë të hershme banimi, si dhe gjetjet arkeologjike. Objekti më i hershëm është një sëpatë bronzi e shekullit XIII-XII p.e.s., që është gjetur në Gostimë dhe që sot ndodhet i ekspozuar në vitrinat e Muzeut Arkeologjik të Tiranës. Në perëndim të Polis-Qendrës ndodhen rrënojat e një qyteze ilire, brenda dhe jashtë mureve të së cilës gjenden mbeturina enësh prej qeramike.

Sipas disa burimeve dokumentare të autorëve antikë, Malet e Polisit në antikitet quheshin Malet e Kandavisë. Gjeografi dhe botanisti latin Plini Secundi, në veprën e tij Historia e natyrës, shkruan: “Prej Lisit nis provinca Maqedone: fiset e parthinëve dhe në shpinë të tyre dasaretët, (gjenden) malet e Kandavisë, shtatëdhjetë e tetëmijë hapa nga Dyrrahu”.

E gjithë treva quhej Kandavia dhe banorët që e kanë populluar këtë trevë (Polisin) ishin kandavët. Perëndia, që kandavët i besonin më shumë dhe që i kishin kushtuar edhe një tempull, ishte Diana e Kandavëve (Diana Kandaviensis). Tempulli i Dianës mendohet të ketë qenë në Babje, i cili është fshat fqinj me Polisin dhe ndodhet në lindje të tij. Një fragment i këtij tempulli është zbuluar në vitin 1916 nga arkeologu austriak Prashniker, në të cilin është shkruar përkushtimi: Diana augusta kandaviensis (Diana, mbretëresha e kandavëve). Diana ishte perëndesha e natyrës (e pyjeve, gjuetisë, blegtorisë etj.) dhe kandavët këto festa i organizonin çdo pranverë, në ditët e shtegtimit të bagëtive të tyre.

***

Festat e Ditës së Verës, ritet e shtegtimeve të bagëtive, si dhe festat e tjera që lidhen me traditat blegtorale, kanë vijuar të festoheshin nga polisarët deri në mesin e shekullit të 20-të, si një jehonë e traditave të lashta që kishin paraardhësit e tyre, kandavët.
Në verilindje të Polisit, buzë lumit të Skampinit (Shkumbinit) antik kalonte Rruga e Kandavisë, e cila e kishte marrë emrin e krahinës nëpër të cilën kalonte. Rruga lidhte Kandavinë me qytetet ilire, siç ishin Selca e Poshtme, Skampa, Belshi etj., por dhe kolonitë, si Dyrrahu e Apollonia. Gjithashtu, nëpërmjet saj, këto të fundit lidheshin me territoret e tjera të Ballkanit Lindor. Nëpërmjet Rrugës së Kandavisë kandavët e Polisit kishin kontaktet me fiset të tjera të Ilirisë. Pas pushtimit të Kandavisë nga romakët rruga ndyshoi emër dhe u quajt Rruga Egnatia,rrugë e cila njihet edhe sot me këtë emër.

***
Gjatë periudhës së mesjetës Polisi ka qenë nën zotërimet e familjes feudale të Aranitëve, të cilët, gjatë sundimit të Gjergj Aranitit, e kishin Polisin si kryeqendrën e tyre.8) E gjithë krahina që nga Polisi e deri në Qukës-Bërzeshtë quhej Aranitia (Dh.S. Shuteriqi: “Aranitia më 1467”, St. Historike, Nr. 1, 1981). Ruhen akoma të gjalla në këngët dhe legjendat e Polisit bëmat dhe trimëritë e Gjergj Aranitit (Gjorg Golemit), që e kujtojnë si zot të atij vendi.


Aranitët ishin nga familjet e vjetra fisnike, më të njohurat dhe më me ndikim në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Në shekujt XI-XVI aranitët kishin arritur famë të madhe në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Ata lidhën krushqi me anë të martesave me familjet më të mëdha aristokratike të Shqipërisë, Serbisë, Italisë, Austrisë etj., si me Despotët e Beratit (Muzakajt), Despotët e Serbisë, Kastriotët, Dukagjinët, Topiajt, Cornejoviçët e Malit të Zi, etj. Gjatë 500 vjetëve të ekzistencës aranitët krijuan dinasti. Prej dinastisë së tyre dolën strategë, gjeneralë dhe burra shteti me famë në të gjithë Europën.

Sipas kronistit Gjon Muzaka (despot i Beratit në shek. XV), pronat në zotërim të djemve të Komnen Aranitit shtriheshin kryesisht në territoret e Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit. (Gj. Muzaka: “Memorie” (botim shqip), Tiranë 1996). Trojet e Aranitëve shtriheshin në Dibër e deri në lumin e Devollit, që ndante shtetin e tyre me atë të Muzakajve. Në perëndim ata kishin dalje në det nëpër grykëderdhjen e lumit Shkumbin, deri në Golem të Kavajës. Në shek. XV aranitët u bashkuan për krijimin e një shteti (Principatë). Bashkimi i tyre nën emrin e Gjergj Aranitit lidhet me qëndresën kundër pushtuesve otomanë, që po u zaptonin trojet e tyre.

Në një dokument osman të vitit 1454 viset ku shtrihej principata e aranitëve quheshin Aranitia (Aranitid). Me emrin e Aranitisë lidhen viset e Çermenikës, Qukës-Bërzeshtës dhe të Polisit. Kryeqendra e Aranitisë ishte Komnenovili (Qyteti i Komnenit) në Polis-Vilani, që sipas prof. Dhimitër Shuteriqit “ishte kryeqendra e Gjergj Aranitit dhe e pasardhësve të tij, me kështjellën në Kryekorrë (Crepakore-Krepi i Korrës), midis Vilanit e Sopotit të sotëm”.


Aranitët më të shquar në shek. XV ishin Gjergj Araniti dhe dy nipat e tij: Moisi Golemi dhe Muzaka i Angjelinës. Gjergj Araniti dhe nipërit e tij u vunë në ballë të luftërave të Skënderbeut kundër pushtuesve turq. Gjergj Araniti ishte i pari fisnik shqiptar që filloi luftën kundër pushtuesve turq. Ky, i pakënaqur nga pushtimet që u bënë turqit tokave të sunduara prej tij, organizoi kryengritje të njëpasnjëshme, duke arritur fitore të lavdishme dhe të bujshme. Fitorja e parë qe ajo e betejës së vitit 1432, në fshatin Burshek të Elbasanit, ku luftoi kundër ushtrisë së Ali Bej Evrenozit. Tjetër fitore e Gjergj Aranitit ishte ajo e vitit 1434 kur u ndesh me gjeneralin turk Isak Evrenozi.

Në vitin 1443 Gjergj Araniti kishte dëbuar plotësisht turqit nga Shqipëria Qendrore. Të gjitha këto fitore i dhanë Gjergj Aranitit famë në të gjithë Europën. Ai mori përgëzime nga mbretëritë dhe kancelaritë më të njohura në Europë, si nga nga Papa i Romës, Eugjeni IV; nga Perandori gjerman Sigismund; nga mbretërit të Francës, të Italisë etj.

Në vitin 1444 Gjergj Araniti mori pjesë në Kuvendin që u mbajt në Lezhë, për bashkimin e popullit shqiptar në kryengritje kundër pushtimit osman. Marin Barleti shkruan në librin “Historia e Skënderbeut”: “I pari nga të gjithë arriti Arianit Golem Topia (Gjergj Araniti-A.A.), apo me një mbiemër më latin Komati, duke vrapuar me një suitë të shënuar kalorësish dhe këmbësorësh, burrë me emër e me autoritet të madh si për bujarinë e lashtë të fisit, si për përvojën shumë të madhe në punët e luftës e për fisnikërinë e veçantë të fjalës dhe të fytyrës…”.

Gjergj Araniti ishte martuar me Maria Muzakën, motrën e Despotit të Beratit, Gjin Muzakës, me të cilën pati tetë vajza. Vajza e tij e madhe, Andronika (Donika) u martua në vitin 1451 me Gjergj Kastriot-Skënderbeun, duke u lidhur shumë ngushtë këto dy familje.

Në vitit 1466, Sulltan Mehmeti i Dytë udhëhoqi ushtrinë e tij për të pushtuar trojet e aranitëve. Ai i shkruante djalit të tij se “Shumicën e atyre të pabindurve i bëmë pre të shpatave tona, pjesën tjetër i lidhëm me zinxhirë të robërimit dhe me vargoj të poshtërimit”. Por sulltani nuk arriti atë vit që t’i shtronte plotësisht viset e Aranitisë. Në muajin korrik të vitit 1467 sulltan Mehmetit të Dytë iu desh të bënte ekspeditën e dytë të madhe më gjakatare dhe më shfarosëse, për ta pushtuar përfundimisht këtë vend. Meshkujt mbi 12 vjeç e lart u zunë robër dhe u shkuan në shpatë, kurse gratë dhe vajzat u degdisën robëresha drejt Anadollit.

Pas pushtimit turk, një pjesë e popullsisë së Polisit shkoi në Itali, ku edhe sot gjenden familje qe mbajnë llagapin Muzhaqi dhe Polisi dhe ndoshta mund të kenë lidhje me Polisin e Librazhdit.
Në vitet e errëta të pushtimit turk polisarët asnjëherë nuk i reshtën përpjekjet e tyre për liri dhe përparim shoqëror. Duke qenë se Polisi ishte qendra e Principatës së Aranitisë, ai ishte edhe qendra më e madhe administrative dhe kulturore e trevave të Aranitisë.

Alfabeti i Polisit
Në shekullin XIX në Polis është gjetur një libër me një dorëshkrim të vjetër në gjuhën shqipe të shkruar me një alfabet të veçantë (Dh. S. Shuteriqi: Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, Tiranë 1979). Rreth vitit 1650, Theodhor Bogomili, i cili mendohet se ishte nga Polisi, hartoi një tekst në dorëshkrim në gjuhën shqipe me një alfabet origjinal. Libri përmban fragmente ungjijsh, si dhe një predikim të lirë të ritit ortodoks. Alfabeti i Polisit ka 21 shkronja dhe është më i vjetri i njohur për gjuhën shqipe. Teksti ka formën e një libri dhe mban titullin “Psalltiko”. Libri ka qenë në pronësi të një murgu me emrin Papa Totasit. Kjo dëshmohet emri që e ka shkruar në kapakun e librit me alfabetin e Polisit. Dorëshkrimi i vjetër mendohet se është pasardhës i një tradite të hershme të shkrimit të shqipes para pushtimit turk, që mund të ketë qenë përdorur në Araniti e në Arbërinë e asaj kohe.

Numërimi me rabushë i Polisit
Te blegtorët polisarë gjendet një sistem numërimi origjinal, të vjetër, që daton para pushtimit turk. Polisarët kishin shpikur simbole që u korrespondonin numrave aritmetikë. Këto numra barinjtë polisarë i “shkruanin” duke i gdhendur mbi një shkop prej druri, që quhej rabushë. Rabushët përgatiteshin prej druri thane, pasi prej thanës dilnin shkopinj të drejtë, të fortë dhe pa palcë.  Shënimi i numrave bëhej duke i radhitur numrat njëri pas tjetrit, nga e majta në të djathtë.

Me anë të këtyre simboleve-numra zhvilloheshin disa veprime matematikore, siç ishin mbledhjeve të numrave dhe formimi i shifrave. Rabushët përdoreshin kryesisht nga barinjtë për të matur (shënuar) sasinë e bulmetit (qumështin, djathin, gjalpin, gjizën etj.), e mishit, e leshit etj. Sot rabushët janë nxjerrë jashtë përdorimit. Ata kanë mbetur si një relikte e vjetër, që dëshmon për një kulturë të lashtë, të krijuar në shekuj nga polisarët.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here